Koreografi me prejardhje algjeriane, Amine Boussa, e zbuloi kërcimin breakdance në moshën 18-vjeçare dhe iu bashkua Baletit Kombëtar të Algjerisë, ku u formua në teknikën klasike dhe kërcimin bashkëkohor. Për mbi 15 vjet ishte një nga kërcimtarët kryesorë të Kader Attou, dhe ndërtoi një sërë bashkëpunimesh ndërkombëtare përpara se të bashkëthemelonte kompaninë Chriki’Z në vitin 2011.
Gjuha e tij koreografike merr frymëzim nga piktura, letërsia dhe kinemaja — me një stil vizual dhe emocionalisht të ngarkuar, që flet drejtpërdrejt me trupin dhe hapësirën.
Ai ka krijuar vepra si L’IniZio dhe PoTestateM, që ndërthurin rrëfimin, lëvizjen dhe ndjesinë skenike.
Qasja e tij e zhvendos vazhdimisht kërcimin hip-hop jashtë formave të zakonshme, duke eksploruar thellësinë shprehëse që ky stil mund të përçojë.
Në këtë edicion të Festivalit, ai do të prezantojë veprën e tij “ImagOri“, dhe do të udhëheqë një klasë kërcimi për fëmijë.