1. Falling Angels — Jiří Kylián
Kohëzgjatja: 15 minuta
“Falling Angels” nga koreografi Jiří Kylián është një balet bashkëkohor i fuqishëm për tetë balerina, mbështetur mbi muzikën ritmike dhe minimaliste të Drumming, Part I nga Steve Reich.
Vepra eksploron tensionin mes kontrollit dhe lirisë, disiplinës dhe individualitetit, përmes lëvizjeve të përpikta dhe të sinkronizuara. Me një skenografi të zhveshur dhe ritme të mprehta, koreografia ndërthur momente të forta grupesh me çaste shprehjeje personale, duke sjellë në pah përplasjen e brendshme mes konformizmit dhe çlirimit të vetvetes.
Ky balet modern, i strukturuar mbi kompleksitetin ritmik të Reich, mbetet një pjesë mbresëlënëse dhe sfiduese për trupën dhe publikun.
2. Radian40° — Edi Blloshmi
Kohëzgjatja: 15 minuta
Radian40° është një reflektim mbi transformimin dhe kujtesën kulturore.
Ai eksploron fijet e padukshme që na afrojnë dhe largësitë që na ndajnë — gjurmë të traditës që enden në hapësirë, vibrim dhe heshtje.
Trupat lëvizin mes intimitetit dhe vetmisë, duke ndjekur një ritëm që ndihet njëkohësisht sa i lashtë po aq dhe i sapolindur.
Lëvizja kthehet, copëzohet dhe riformohet, si një busull që rrotullohet mes origjinës dhe së panjohurës. Spiralët treten në pafundësi, ndërsa kujtesa dhe prania ndërthuren përtej së prekshmes — Radian40° është një stuhi e qetë e rrënjosur në vend.
3. Troy Game nga Robert North
Kohëzgjatja: 25-30 minuta
“Troy Game (Loja e Trojës)”, me koreografi të Robert North, është një vepër ikonike e kërcimit bashkëkohor, e njohur për ndërthurjen origjinale të forcës fizike, humorit dhe teatrales. Me një kast tërësisht mashkullor, pjesa bashkon elemente të artit luftarak, gjimnastikës dhe ritmeve me frymë braziliane, duke vënë në pah fuqinë trupore dhe energjinë mbresëlënëse të balerinëve.
Baleti sfidon me ironi konceptet tradicionale të maskulinitetit, përmes një loje të ekzagjeruar me rolet dhe qëndrimet mashkullore, duke krijuar një vepër njëkohësisht argëtuese dhe domethënëse. Falë koreografisë së saj të pazakontë dhe interpretimit të guximshëm të temave gjinore, Troy Game mbetet një vepër me ndikim të gjerë, e interpretuar ndër vite nga kompani të njohura baleti në mbarë botën.